0
World

“Lajm i keq për ta”, oferta finale e SHBA-së – çfarë tha Vance pasi s’u arrit marrëveshja Iranin

April 12, 2026
Scroll

Posted 2 days ago by

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance u largua nga Pakistani pasi nuk u arrit asnjë marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës. CNN përmblodhi gjërat më të rëndësishme që i tha ai në një konferencë për shtyp pas një seance të gjatë negociatash. S’ka marrëveshje: Bisedimet, të cilat filluan të shtunën sipas kohës lokale në Islamabad dhe vazhduan gjatë natës deri në mëngjesin e së dielës, nuk prodhuan një marrëveshje për t’i dhënë fund përfundimtar luftës.

“Mendoj se ky është lajm i keq për Iranin shumë më tepër sesa është lajm i keq për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që kthehemi në SHBA pa arritur një marrëveshje”, tha Vance. SHBA dha “ofertën e saj përfundimtare dhe më të mirë”: Vance tha se negociatorët iranianë refuzuan t’i pranonin kushtet e SHBA-së për një marrëveshje, të cilat ai këmbënguli se kishin qenë “mjaft fleksibile”. “Ishim mjaft të gatshëm për kompromis. Presidenti na tha: ‘Duhet të vini këtu me mirëbesim dhe të bëni përpjekjen tuaj më të mirë për të arritur marrëveshje.’ Ne e bëmë këtë dhe, për fat të keq, nuk arritëm të bëjmë asnjë përparim”, tha ai. Për programin bërthamor të Teheranit: Irani nuk u zotua të heqë dorë nga ndërtimi i një arme bërthamore pas orësh negociatash, sipas zëvendëspresidentit. “Pyetja është: ‘A shohim një angazhim themelor vullneti nga iranianët për të mos zhvilluar një armë bërthamore jo vetëm tani, jo vetëm pas dy vitesh, por në afat të gjatë?’ Ne nuk e kemi parë ende këtë, shpresojmë ta shohim”, tha Vance. Komunikimi me administratën: Vance tha se foli me presidentin Donald Trump “në mënyrë të vazhdueshme” gjatë bisedimeve. Ai tha se foli gjithashtu me zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe admiralin Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së. Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane fajësuan kërkesat “e tepruara” të SHBA-së për dështimin. “Negociatat mes ekipeve iraniane dhe amerikane përfunduan para pak minutash dhe, për shkak të asaj që përshkruhet si tejkalim dhe ambicie nga ana e SHBA-së, të dyja palët deri tani kanë dështuar ta arrijnë një marrëveshje” ,raportoi një korrespondent i agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim nga Islamabad. The post “Lajm i keq për ta”, oferta finale e SHBA-së – çfarë tha Vance pasi s’u arrit marrëveshja Iranin appeared first on Gazeta Express.

Gazeta Express
Gazeta Express

Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.

Kosovo
Bias: lean left

People's Voices (0)

Leave a comment
0/500
Note: Comments are moderated. Please keep it civil. Max 3 comments per day.
You might also like

Explore More