0
World

Kosova drejt zgjedhjeve, partitë “në garë” për të gjetur fajtorin

April 21, 2026
Scroll

Posted 2 hours ago by

Partitë politike në Kosovë kanë “nisur garën” për të gjetur fajtorin se kush po e çon shtetin në zgjedhje të reja parlamentare, pas dështimit për të zgjidhur çështjen e presidentit. Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri ose automatikisht vendi shkon në zgjedhje të reja. Të hënën, edhe takimi i pestë i kryetarëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike rezultoi i pasuksesshëm.

E siç u bë e ditur, ka pasur dakordim për të mos u takuar më. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se i ka refuzuar dy oferta të Albin Kurtit, e para të përfshihet në Qeveri si zëvendëskryeministër dhe LDK-ja t’i ketë 4 ministri, dhe e dyta, që erdhi pas refuzimit të së parës, që posti i kryekuvendarit t’i takojë partisë së Abdixhikut, e nënkryetarin ta marrë Vetëvendosje. Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues e ka shpallur të mbyllur kontributin e saj në këtë proces. Kjo parti refuzoi të takohej me Kurtin që pas takimit me Abdixhikun bëri të ditur se i ka shkruar kryetarit Bedri Hamza. Partitë opozitare kanë fajësuar pushtetin për çështjen e presidentit. Abdixhiku pas takimit me Kurtin ka thënë se ka refuzuar të flasë për çka do tjetër pa e trajtuar çështjen e presidentit. Ai ka thënë se Vetëvendosje ka insistuar që ky post i takon vetëm kësaj partie. “Ne ishim në diskutim për çështjen e presidentit. Pra unë refuzova të flasim për çkado tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit, sepse problemi ishte presidenti, jo Qeveria. Kosova ka Qeveri, ka edhe Kuvend, por nuk ka president. Nuk mund të propozojmë dikë, kur insiston që presidenti të mbetet i partisë së tij. Nuk është çështje propozimesh e lajmeve mediatike. Me LDK-në, Vetëvendosje nuk ka diskutuar asnjë emër përveç Glauk Konjufcës”, ka deklaruar Abixhiku pas takimit. Ndërkaq Kurti ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve pasi “është vendosur në një pozitë ku ofertat i refuzohen e palët s’japin propozime”. “Vetë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka konsideruar asnjëherë që asaj i takon presidenti. Pra ju duhet ta kuptoni situatën e vështirë në të cilën ndodhem unë, nuk mund të bëhem unë më LDK se LDK-ja. Pra vetë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka konsideruar që asaj i takon pozita e presidentit dhe nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, unë nuk mund të kërkoj në negociata çka nuk kërkohet nga pala tjetër”, ka thënë Kurti. Ai e akuzoi edhe PDK-në për “shmangie nga realiteti” pasi refuzoi të takohen. “Ka njëfarë bojkoti. Mund të hulumtoni me palën tjetër se si është e mundur të thuash se dua që të merremi vesh, por ja që nuk pranoj që të takohemi. Ju e mbani mend edhe vitin e kaluar çfarë bllokade. Por duke që 28 dhjetori po mohohet thua se nuk ka ndodhur asgjë atë ditë, e thua se edhe më tutje ndodhemi në vitin 2025, unë nuk e di për të tjerët, por besoj që viti është 2026”, është shprehur ai. Ndërkaq PDK-ja, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, ka fajësuar pushtetin për moszgjidhjen e ngërçit. “Sa i përket çështjes së Presidentit, Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur”, u tha në komunikatë. Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, Vjosa Osmani, atëherë presidente, përmes një dekreti pati shpërndarë Kuvendin. Ky vendim ishte mirëpritur nga partitë opozitare. Mirëpo, këtë dekret, me aktgjykimin e 25 marsit, Kushtetuesja e ka shfuqizuar, duke konstatuar se deputetët kanë kohë deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill. Kalimi i këtij afati, pa zgjidhje nënkupton zgjedhje brenda 45 ditësh. Në këto rrethana, zgjedhjet mund të mbahen më së largu më 7 qershor. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra, Glauk Konjufcën e Fatmire Mulhaxhën, ndërkaq nuk ka pasur emra të tjerë të përmendur nga partitë opozitare. Nëse Kosova shkon në zgjedhje, do të jenë të tretat parlamentare brenda më pak se 15 muajve. Dy të tjerat u mbajtën në shkurt dhe dhjetor 2025. The post Kosova drejt zgjedhjeve, partitë “në garë” për të gjetur fajtorin appeared first on Gazeta Express.

Gazeta Express
Gazeta Express

Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.

Kosovo
Bias: lean left

People's Voices (0)

Leave a comment
0/500
Note: Comments are moderated. Please keep it civil. Max 3 comments per day.
You might also like

Explore More