0
Edhe pak ditë për Presidentin, Kurti ashpërsoi sot gjuhën ndaj opozitës, “i sfidoi” që ta gjejnë një emër dhe të ‘‘ecim përpara’
April 22, 2026
Posted 2 hours ago by
Përderisa kanë mbetur edhe pak ditë afat deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një marrëveshje mes partive politike s’duket askund në horizont. Madje, krejt e kundërta! Ato i kanë shtuar kritikat ndaj njëra-tjetrës. Një gjë të tillë e bëri edhe sot, kryeministri i vendit, kryetar i LVV’së, Albin Kurti. Kritikat për mos gatishmëri, mosinteresim, ‘’zhurma e piskama’’, ishin ato që Kurti ua drejtoi liderëve opozitarë, shkruan Gazeta Express.
Porsa përfundoi vizitën e tij në Klinika e Kardiologjisë, Kurti u ndalë para gazetarëve, dhe nisi deklarimin e tij për çështjen e presidentit. Fillimisht, ai theksoi se, Partia Demokratike e Kosovës refuzoi të takohej me të pas aktgjykimit të Kushtetueses, ndërsa me Lidhjen Demokratike të Kosovës pati takime. Kësaj të fundit, tha Kurti, që ia ka bërë ‘’dy oferta’’, e që njëra prej tyre ishte për bashkëqeverisje, e tjetra ‘’për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit’’. Të cilën, këtë të fundit, kryeministri, tha se këtë të fundit ia ka bërë edhe PDK’së. ‘‘Thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”, tha Kurti për PDK’në e LDK’në. Kryetari i VV’së, më tej, i cilësoi si ‘’zhurma, piskama’’ dhe, ‘’ankesa të paarsyeshme’’ deklarimet e opozitës drejtuar VV’së lidhur me çështjen e presidentit. Të cilat, vlerësoi kryeministri, nuk iu ‘’bëjnë dëm’’ atyre, porse ‘’i bëjnë dëm shtetit’’. “Mazhoranca i ka 66 deputetë. Partisë që i ka 15 deputetë i kam ofruar që të bëhet kryetari i tyre zëvendësi i imi, që i bie që në mungesë timen ai t’i udhëheqë mbledhjet e qeverisë, dhe katër ministri. Pra, i kam ofruar dyfish më shumë se partisë Guxo, e cila ka garuar me mua e partisë që ka garuar kundër meje i kam ofruar dyfish më shumë”, shtoi Kurti. Më tej, Kurti dha lëvdata edhe për nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca. Ai iu drejtua opozitës me kërkesë që këta të fundit t’ia gjejnë atij ‘’një njeri më të mirë’’ se Konjufca. Kryeministri, gjatë komenteve të tija, përsëriti deklarimin e tij të shpeshtë të kohëve të fundit rreth aplikimit, duke thënë se opozita s’i ka numrat ‘’as për të aplikuar’’. “U tha që nuk bën Vetëvendosja t’i ketë të tri pozitat. Po ja pra s’po e kemi kryetarin e Kuvendit. Jo po Vetëvendosja s’duhet ta ketë presidentin. Po le të ma gjejnë një njeri më të mirë se Glauk Konjufca, që i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë që s’bën Vetëvendosja është duke thënë që s’bën Glauku. Dhe ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun sesa për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun? Pse nuk propozuan ata asnjë emër. E di që s’i kanë numrat as për të aplikuar”, deklaroi Kurti. Duke folur për opozitën, Kurti pati edhe një ‘kërkesë’ tjetër për ta. Ai tha se këto parti duhet ta gjejnë një kandidat jashtë skenës politike dhe ‘’të ecim përpara’’. “Nëse do të bëheshin këto bashkë, do ta kishin një kandidat dhe t’i përdorin kriteret që i përdorin për neve. Një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe të ecim përpara. Më shumë se kaq s’mund të bëjmë. Ne duhet të qeverisim, rezultatin e zgjedhjeve nuk e ndryshojmë dot. Besoni që thellësisht po del që s’kanë problem me mua, por me popullin. Populli e ka votuar Vetëvendosjen 51.1, këta kanë problem me popullin”, shtoi Kurti. Sot, Kurti, foli edhe për deklaratën skandaloze të bërë nga deputeti i listës Guxo, Fatos Geci, i cili dje, gjatë seancës në Kuvend, tha se ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, do ‘’përcjell i njëjti fat’’ me atë të Naim Murselit, i cili u dënua për vrasjen e Liridona Ademajt. Për këtë, Kurti, e potencoi se Geci është nga partia Guxo, dhe se ai, s’është kryetar i ndonjë komisioni disiplinor. ‘‘Ju e dini qëndrimin tonë sa i përket Gjykatës Speciale, e cila është një gjykatë jo normale jo transparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e secilës ishte UÇK, dhe në pafajësinë e katër krerëve të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ju ishit dëshmitarë që kryetarja e Kuvendit, ia tërhoqi vërejtjen ia ndërpreu fjalën deputetit edhe për shkak të gjuhës edhe për shkak të komentit që bëri. Unë jam vetëm kryetar i VV’së, dhe kryeministër, nuk jam edhe kryetar i ndonjë farë komisioni disiplinor, aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër’’, ka thënë sot Kurti. Ndryshe, deputetët kanë afat që ta zgjedhin presidentin e vendit deri të martën e javës së ardhshme, ndryshe, duke u bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, vendi shkon në zgjedhje. /GazetaExpress The post Edhe pak ditë për Presidentin, Kurti ashpërsoi sot gjuhën ndaj opozitës, “i sfidoi” që ta gjejnë një emër dhe të ‘‘ecim përpara’ appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.