World

Voziti nën ndikim të alkoolit, shkaktoi aksident, arrestohet legjenda e golfit Tiger Woods: Nuk jam përfekt

March 28, 2026
Gazeta Express
Scroll

Legjenda e golfit Tiger Woods është arrestuar dhe akuzuar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, pas një aksidenti dramatik në Florida. Sherifi i qarkut Martin, John Budensiek, tha se vetura Land Rover, që drejtohej nga legjenda e golfit, tentoi të parakalonte një kamion “me shpejtësi të lartë” para se të devijonte dhe të përmbysej në njërën anë pasi preku një kamion që tërhiqte një rimorkio, raporton Sky News, përcjell Gazeta Express.

Ai tha se Woods shfaqi “shenja të ndikimit” pas incidentit, i cili ndodhi pak pas orës 14:00 me kohën lokale të premten, jo larg vendit ku golfisti jeton në Jupiter Island. Woods, 50 vjeç, iu nënshtrua testit të alkoolit pas arrestimit, i cili rezultoi negativ, por më pas refuzoi të japë një mostër urine, tha policia. Sherifi Budensiek u tha gazetarëve gjatë një konference për shtyp: “Kur erdhi momenti për të kërkuar testin e urinës, ai refuzoi, dhe për këtë arsye është akuzuar për drejtim nën ndikim, dëmtim prone dhe refuzim për t’iu nënshtruar një testi të ligjshëm.” Asnjë nga personat e përfshirë në aksident nuk raportoi lëndime. Duke iu referuar mënyrës se si ndodhi aksidenti në një rrugë të ngushtë me dy korsi, sherifi Budensiek tha se ishte fat që askush nuk u lëndua. “Nëse do të kishte pasur dikë që lëvizte në drejtim të kundërt, nuk do të po flisnim për mungesë lëndimesh. Mund të kishte qenë shumë më keq,” tha ai. “Ai [Woods] ishte i plogësht në vendngjarje, por besojmë se kjo ishte për shkak të substancave që kishte konsumuar.” Automjeti që Woods goditi ishte një kamion që tërhiqte një rimorkio për pastrim me presion. Shoferi i kamionit tentoi të largohej anash rrugës për të shmangur përplasjen, por nuk kishte hapësirë të mjaftueshme, shpjegoi sherifi. Nuk dihet nëse Woods kishte vendosur rripin e sigurisë në momentin e aksidentit, pasi ai “doli duke u zvarritur nga dera e pasagjerit” para se policia të mbërrinte në vendngjarje. Woods u mbajt në paraburgim në burgun e qarkut Martin për rreth tetë orë, para se të lirohej me kusht. “Mik shumë i afërt” i Trump Presidenti Donald Trump, ish-nusja e djalit të të cilit, Vanessa Trump, është në lidhje me Woods, u pyet për golfistin kur mbërriti në Miami për një samit investimesh. “Më vjen shumë keq për të. Ai ka disa vështirësi,” tha Trump. “Është mik shumë i afërt i imi. Është një person i jashtëzakonshëm. Një burrë i mrekullueshëm. Por ka disa vështirësi.” Ky është rasti më i fundit në një seri incidentesh me automjete që përfshijnë Woods, më së fundmi në shkurt 2021, kur SUV-i i tij doli nga rruga bregdetare në Los Angeles me shpejtësi të lartë, duke i shkaktuar lëndime të shumta në këmbë dhe kyçe. Woods më vonë tha se lëndimet ishin aq të rënda sa mjekët kishin konsideruar amputimin. Ai gjithashtu u arrestua në vitin 2017 për drejtim nën ndikim, kur policia e gjeti duke fjetur pas timonit të makinës së tij, e cila ishte parkuar në mënyrë të çrregullt dhe me dëmtime në anën e shoferit. Më pas ai pranoi fajësinë për drejtim të rrezikshëm, pasi u zbulua se kishte pesë ilaçe me recetë në organizëm në atë kohë. Në vitin 2009, ai përplasi makinën e tij në një hidrant zjarri dhe një pemë pranë shtëpisë së tij në Florida – një aksident që çoi në zbardhjen e problemeve në jetën e tij private. Bashkëshortja e tij e atëhershme, Elin Nordegren, përdori një shkop golfi për të thyer xhamin e Cadillac Escalade për ta nxjerrë atë jashtë. “Nuk jam perfekt” “Kjo situatë është faji im dhe është padyshim e turpshme për familjen time dhe për mua,” tha Woods në faqen e tij zyrtare në atë kohë. “Jam njeri dhe nuk jam perfekt.” Incidenti zbuloi një konflikt të ashpër martesor me Nordegren, ndërsa shumë gra dolën publikisht duke pranuar lidhje jashtëmartesore me Woods. Woods dhe Nordegren u divorcuan në gusht 2010. Aksidenti i fundit vjen pasi Woods u rikthye në garat konkurruese për herë të parë pas më shumë se një viti, në natën e fundit të turneut të brendshëm TGL të martën. Ai kishte thënë më pas se shpresonte të ishte në formë për të luajtur në turneun Masters muajin e ardhshëm. Woods konsiderohet gjerësisht si një nga golfistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Titujt e tij kryesorë përfshijnë pesë Masters, tre US Open, tre British Open dhe katër kampionate PGA. The post Voziti nën ndikim të alkoolit, shkaktoi aksident, arrestohet legjenda e golfit Tiger Woods: Nuk jam përfekt appeared first on Gazeta Express.

Gazeta Express
Gazeta Express

Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.

Kosovo
Bias: lean left
You might also like

Explore More