Shpërthime në Isfahan, SHBA raportohet se ka shënjestruar depo municionesh
March 31, 2026
Gazeta Express
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli raportohet se kanë kryer sulme në disa qytete në provincën Isfahan në natën mes 30 dhe 31 marsit, si dhe sulme në Teheran. Pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale kanë shfaqur shpërthime shumë të mëdha rreth Isfahanit, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, shpërndau një nga videot në Truth Social, por postimi i tij nuk kishte asnjë koment mbi këtë video.
Më herët, zëvendësguvernatori për siguri dhe rend i provincës së Isfahanit tha se “avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë” kishin shënjestruar qytetet Isfahan, Najafabad, Mobarakeh, Kashan dhe Shahreza të hënën në mbrëmje. I njëjti zyrtar tha në mëngjesin e 31 marsit se vlerësimet fillestare tregonin se disa “objektiva ushtarake” në Isfahan ishin goditur, duke mos dhënë detaje të tjera. Ndërkaq, The Wall Street Journal raportoi se një zyrtar kishte thënë se Shtetet e Bashkuara goditën një depo të madhe municionesh në qytetin e Isfahanit në Iran, duke përdorur “bomba për shkatërrimin e bunkerëve prej 2.000 paundësh”. Po ashtu, pati raportime në rrjetet sociale për disa shpërthime në orët e para të 31 marsit në Teheran, Isfahan, Zanjan dhe Shiraz. Sipas këtyre postimeve, disa shpërthime të njëpasnjëshme u dëgjuan në lindje dhe verilindje të Teheranit, të shoqëruara me ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona dhe me zhurmën e aeroplanëve luftarakë. Shpërthime të tjera u raportuan gjithashtu në Zanjan dhe Shiraz. Këto raportimeve, përveç atyre që lidhen me Isfahanin, nuk janë konfirmuar ende nga zyrtarët iranianë. Ndërkaq, ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për sulmet në Isfahan. SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt. Qëllimi ishte të shkatërronin programet balistike dhe ushtarake iraniane, të parandalonin zhvillimin e armëve bërthamore dhe të dobësonin kapacitetet mbrojtëse të regjimit të Teheranit. Irani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, përfshirë edhe sulme ndaj objekteve të SHBA‑së në Bahrejn dhe rajone të tjera. /REL The post Shpërthime në Isfahan, SHBA raportohet se ka shënjestruar depo municionesh appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.