Rasti i 1 milionëshit në Merdarë, Supremja anulon vendimin e Apelit, s’ka paraburgim për tre të dyshuarit
March 31, 2026
Gazeta Express
Gjykata Supreme e Kosovës, ka anuluar vendimin e Apelit për paraburgim ndaj tre të dyshuarve për shpëlarje parash: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të cilët u ishin gjetur 1 milion euro Merdar. Supremja, duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, ka anuluar vendimin e Apelit, dhe ka kthyet çështjen në rivendosje, përcjell Gazeta Express. ''Gjykata Supreme vlerësoi se ankesat janë të bazuara dhe konstatoi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve'', thuhet mes tjerash në komunikatë. Komunikata: Anulohet vendimi për paraburgim në rastin e “1 milionëshit”, çështja kthehet në rivendosje Prishtinë, 31 mars 2026 - Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., për veprën penale shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 56 paragrafi 1 pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka marrë vendim lidhur me ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve. Duke vendosur mbi ankesat kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.1.S.nr.68/2026 të datës 18 mars 2026, në seancën e kolegjit të mbajtur më 30 mars 2026, Gjykata Supreme ka vendosur të aprovojë ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, të anulojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ta kthejë në rivendosje, në të njëjtën gjykatë. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e datës 9 mars 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve. Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte ndryshuar këtë vendim duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Kundër këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit. Gjykata Supreme vlerësoi se ankesat janë të bazuara dhe konstatoi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve. Gjykata Supreme thekson se ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. The post Rasti i 1 milionëshit në Merdarë, Supremja anulon vendimin e Apelit, s’ka paraburgim për tre të dyshuarit appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.