0
Pushteti i mediokritetit të shkolluar
April 12, 2026
Gazeta Express
Në galerinë e hijeve të shoqërisë sonë, ka shfaqur krye një figurë sa e njohur, aq edhe tinëzare: mediokri i kulturuar. Ky nuk është analfabeti i djeshëm që e kishte vështirë të lidhte dy fjalë; ky është analfabeti i ri, ai “i larti”, që ka zotëruar me mjeshtëri kirurgjikale teknikën e jashtme të intelektualitetit. Ai popullohet dendur në zyrat e institucioneve, mban tituj në katedrat akademike, deri edhe ne prijës politik e fetar, dhe shkëlqen në ekranet e opinionit publik, duke na shitur ambalazhin si përmbajtje.
Ky lloj njeriu ka grumbulluar diplomat si trofe pa jetë. Ai ka përvetësuar një zhargon intelektual aq të ndërlikuar, saqë e përdor atë si një mburojë tymi për të fshehur faktin dëshpërues se mbetet tërësisht i verbër ndaj frymës së vërtetë të mendimit. Ai është shtylla kurrizore e kulturës së rreme, sepse i jep asaj një legjitimitet që natyra ia ka mohuar. Mediokri i shkolluar nuk e kundërshton sistemin e kalbur, por, e dekoron atë, e lyen me vernikun e prestigjit të rremë dhe bëhet mirëmbajtësi më besnik i fasadës sonë kolektive. Në duart e këtyre “teknokratëve të shpirtit”, kultura pëson një mutacion të frikshëm. Ajo pushon së qeni një akt rebelimi ndaj banalitetit dhe shndërrohet në instrumentin më efikas të tij. Kur elitat kulturore, që historikisht supozohej të ishin rojet e integritetit dhe guximit, fillojnë të flasin gjuhën e rëndomtë të tregut dhe marketingut personal, kultura vdes në qelizë. Në këtë mjedis, suksesi i një ideje nuk matet më me forcën për të tronditur ndërgjegjet, por me sasinë e klikimeve dhe duartrokitjeve servile nëpër sallone. Ajo që mbetet pas është vetëm një kufomë e lyer me tualetin e rëndë të retorikës boshe. Na prezantohet me pompozitet si “modernitet”, ndërkohë që brenda saj nuk rreh më asnjë puls i vërtetë jete. Mekanizmi i këtij pushteti operon përmes një mjeti shumë efikas: eliminimit të sensit të turpit dhe zëvendësimit të përgjegjësisë me oportunizmin. Mediokri i shkolluar e urren talentin autentik me një pasion të fshehur. Pse? Sepse prania e një mendimi të lirë shërben si një pasqyrë e pamëshirshme ku zbulohet zbrazëtia e tij shpirtërore. Prandaj, ai ndërton me kujdes klane dhe rrjete ndikimi që shpërblejnë besnikërinë ndaj banalitetit. Ai e kthen artin në një dosje administrative dhe filozofinë në një set klishesh që nuk prishin punë në asnjë zyrë pushteti. Rezultati është një shoqëri ku “intelektualiteti” është thjesht një status social, një zyrë pune apo një kartëvizitë, duke e lënë njeriun e thjeshtë të burgosur brenda një sistemi që admiron kufomën e dekoruar të mendimit. Fatkeqësisht, ky sistem prodhon atë që mund ta quajmë “analfabetizëm të lartë”. Njerëzit lexojnë gjithçka, por nuk kuptojnë asgjë që ka peshë ekzistenciale. Filtri i tyre i vlerave është zëvendësuar nga filtri i dobisë praktike: “Sa më hyn në punë kjo ide për karrierën tim?”. Çdo zë që kërkon të kthehet te thelbësorja etiketohet menjëherë si “i vjetruar” ose “patetik”, madje edhe si “tradhti” e “laicizëm”. Kur elita pushon së qeni avangardë e shpirtit dhe bëhet prapavijë e pushtetit, kultura kthehet në një maskë luksoze për hipokrizinë. Kriza nuk është më thjesht kulturore, por shtohet dhe bëhet një krizë e vetë kuptimit të njerëzishmes. Figura e intelektualit vdes nën peshën e një tualeti të rëndë që tenton të fshehë faktin se pas tij nuk ka mbetur më asgjë përveç dëshirës për të qenë pjesë e skenografisë së radhës. Dhe ndërsa maska ngjitet pas fytyrës, ne mbetemi dëshmitarë të një teatri ku duartrokitet pamja, ndërkohë që e vërteta ka kohë që ka braktisur sallën. /Hejza The post Pushteti i mediokritetit të shkolluar appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.