Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, kryediplomati shqiptar: Kërkesa e drejtë, të adresohet me seriozitet institucional
April 6, 2026
Gazeta Express
Studentët shqiptarë do të protestojnë sot në Shkup. Ata ankohen se përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar për ta me Kushtetutë dhe ligj në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se protesta dhe kërkesa e studentëve është e drejtë dhe legjitime.
E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme, shkroi ai në X. Hoxha tha se kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Kjo çështje, ai tha se duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara, shkroi ai. The post Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, kryediplomati shqiptar: Kërkesa e drejtë, të adresohet me seriozitet institucional appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.