Pesë vrasje brenda një jave në Kosovë, ekspertët alarmojnë për armët ilegale
March 29, 2026
Gazeta Express
Pesë vrasje në Kosovë kanë ndodhur vetëm brenda një jave. E, me këtë është rikthyer në vëmendje niveli shqetësues i krimit të rëndë në vend dhe qasja e lehtë në armë ilegale. Ndërsa ekspertët theksojnë se dënimet për vrasje në Kosovë janë ndër më të ashprat në rajon dhe Evropë. Ata thonë se ndër shkaqet kryesore të vrasjeve janë prania e armëve ilegale në duart e qytetarëve e që llogariten të jenë rreth 300 mijë, dhe faktorët socio-ekonomik.
Avokati Skënder Musa në një intervistë për Ekonomia Online vlerëson se dënimet e shqiptuara për rastet e vrasjeve në Kosovë janë më të rëndat krahasuar me rajonin. “Jo, në aspektin penal dhe juridik nuk janë dënime të lehta, madje janë dënimet më të rënda sesa në Bashkimin Evropian dhe në rajon. Sepse për një vrasje të rëndë, dënimet që shqiptohen zakonisht janë prej 15 vite, 25 vite, 30 vite, 35 vite e kështu me radhë, deri te dënimi me burgim të përjetshëm. Ndërkaq për vrasje të rëndomta, dënimet edhe pse parashihet që fillojnë nga pesë vjet, në Kosovë është shumë jo evidente shqiptimi i dënimeve për vrasje të rëndomta nën 15 vite apo 20 vite. Kështu që dënimet janë jashtëzakonisht të rënda. Mirëpo faktorët që ndikojnë nuk duhet shikuar vetëm nga aspekti penal, për shkak se procedurat penale apo institucionet si prokuroria, gjykata dhe policia që hetojnë vrasjet, zakonisht merren me pas shkaktimit të pasojës”, tha ai. Musa e konsideroi shqetësuese praninë dhe sigurimin e lirshëm të armëve në Kosovë. “Ndëshkimet e kanë edhe atë pjesën e karakterit edukativ, për shkak se marrim parasysh peshën e dënimit kur të shqiptojnë sanksionin penal, e marrim parasysh edhe efektin parandalues te personat e tjerë të mundshëm që në të ardhmen të mos kryejnë vepër penale. Mirëpo, më tepër ka të bëjë aspekti sociologjik, arsimor, traditat e kështu me radhë. Ndërkaq, si faktor kryesor që ndikon në aspektin penalo-juridik që ndodhin vrasjet dhe vrasjet në tentativë, është numri i madh i armëve, që në Kosovë pothuajse çdokush që dëshiron me u pajisë me një lloj të armëve, ai lehtësisht po vjen deri te arma. Dhe kjo është shqetësuese sepse pastaj po përfundojnë me vrasje. Karakteristikë e vrasjeve të rënda që është në Kosovë, është që vrasja kryhet për ndërthënie jashtëzakonisht të paqarta, zakonisht kryhen nga të papunët, nuk ka planifikime si në shtete të tjera (një vit, gjashtë muaj, tre muaj e kështu me radhë) për me e kry një vrasje. Mirëpo, zakonisht ndodhin shumë shpejt vrasjet dhe ky fenomen penalisht drejt nuk mund të sqarohet, ky është më tepër i karakterit sociologjik”, thotë ai. Avokati gjithashtu bëri thirrje që qeveria të veprojë me plan strategjik për vetëdijësimin e qytetarëve. “Këtu përveç dënimeve duhet shteti të ndërmarrë diçka edhe për çështjet e armëmbajtjeve pa leje. Duhet të ndërtohet një strategji shtetërore e kombëtare për vetëdijësimin e qytetarëve, për qytetarët në përgjithësi që të mos mbajnë armë, mos të shënojnë me armë, mos të përdorin armë. E në mënyrë të veçantë duhet të bëhet ndonjë fushatë apo ndonjë strategji që e mendojnë Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë, që njerëzit të njoftohen me pasojat që shkaktohen me vrasjen e një personi. Si për palën e dëmtuar që e humb jetën dhe familjen e tij, ashtu edhe për personin që është kryesi i veprës penale, sepse pasojat edhe për kryesin e veprës penale janë jashtëzakonisht të mëdha, sepse dënimet janë shumë të ashpra. Edhe në anën tjetër, pasojat që i krijohen familjes, duke filluar nga rreziku për pasoja për hakmarrje, e nga pala tjetër pastaj shkatërrimi ekonomik, humbja e të gjitha sferave të jetës, si në arsimimin e fëmijëve dhe të gjitha që ndikojnë negativisht, dhe në fakt shkatërrohen dy familje nga një vrasje. Këtu duhet shteti të ndërmarrë masa dhe të gjejë forma se si të ndikohet dhe të mos pritet vetëm nga aspekti penal, sepse burgjet munden me u mbush me njerëz, mirëpo e drejta penale nuk i edukon njerëzit”, shtoi Musa. Ndërsa ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë(AKI), Burim Ramadani për Ekonomia Online veçon praninë e armëve ilegale dhe nuk përjashton faktorët socio-ekonomikë në ndikimin e vrasjeve. “Duket që fatkeqësisht janë disa faktorë që ndikojnë në numrin e madh të vrasjeve dhe faktori numër një absolutisht është prezenca e madhe e armëve në duart e qytetarëve. Një pjesë shumë e madhe e tyre armë ilegale. Pra nuk kemi parë një program të veçantë nacional që do të merrej me reduktimin ose zvogëlimin e armëve ilegale në duart e qytetarëve. Por po ashtu, faktorë të tjerë mund të jenë çështje sociale apo ekonomike, në të cilat qytetarët e Kosovës megjithatë mbeten nën presionin e rrethanave socio-ekonomike”, tha ai. Ramadani thekson se rreth 300 mijë armë ilegale gjenden tek qytetarët e Kosovës, derisa ftoi qeverinë për ndërmarrje masash. “Ka pasur disa raporte kryesisht nga UNDP që ka pasur matje të armëve ilegale dhe është folur vazhdimisht për shifrën rreth 300 mijë armë të vogla ilegale në duart e qytetarëve. Por, për azhurnimin e këtyre të dhënave janë institucionet ato që do të duhej të jenë shumë më agjile në punën e tyre. Së pari është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, të ketë një program i cili do të përfshinte shumë dikastere të shoqërisë, përfshirë këtu Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Ekonomisë e të tjera, komunat në mënyrë absolute, në mënyrë që të largohet numri i madh i armëve ilegale në Kosovë. Duke përfshirë këtu edhe programe shpërblyese apo të tjera të cilat jepen ose shpërndahen në momentet kur qytetarët i kthejnë armët ilegale. Ndërkaq pjesa e formalizimit të armëve në duart e qytetarëve është një program tjetër. Pra, po mungon një qasje nacionale e Qeverisë së Kosovës për të larguar armët ilegale të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Ramadani. Ndërkaq sociologu Bekim Selishta, për Ekonomia Online renditi faktorët e edukimit duke nisur nga shkollat fillore. “Ne e kemi parë duke nisur prej këtij procesi është se edhe në shkollat e mesme ose fillore, lëndët shoqërore ose sociologjia është tërësisht e anatemume ose e hekur konkret si lëndë, si pasojë që kjo merret me fenomenet shoqërore. Domethënë ne, edhe prej shkollës fillore deri të mesmen, i kemi dhënë shumë rëndësi lëndëve shkencore, ndërsa nuk jemi në një pozicion të mirë financiar që me u rrit shkenca në atë mënyrë saqë ne me investua veç në shkencë e anën shoqërore me harru komplet. Ne edhe te këto institucionet që merren për mirëqenien sociale, domethënë punëtorë socialë ose sociologë, shumë pak ka të angazhuar që së paku tek martesat e hershme ose martesat, kanë nevojë njerëzit me u këshillua se si duhet me u trajtua martesa ose si duhet me u zhvillu jeta bashkëshortore. Pastaj e kemi edhe procesin tjetër, si duhet problemet pronësore me u trajtua. Ne nuk mundemi veç me aspektin juridik ose me akte juridike me i trajtua fenomenet pronësore, se janë goxha problematike në Kosovë. Po na vjen pak më gjatë me i trajtua edhe me pas një qasje më serioze në këtë aspekt, se nuk është krejt e lehtë ana financiare tash me lënë anash, se po i shohim problemet ku janë”, tha ai. Selishta thotë se qeveria duhet të ndërmerr reforma për trajtimin e fenomeneve shoqërore duke përmendur edhe rastet e financimit. “Dora e shtetit duhet me qenë më prezente në raport me qytetarët e këtij vendi. Se për atë arsye edhe shteti ia ka borxh qytetarit me i trajtua fenomenet shoqërore dhe me u marrë me qytetarët e vet. Nuk është me u marrë me qytetarët e vet veç gjatë periudhave të zgjedhjeve, ose gjatë ndonjë akti, ndonjë dite solemne ose dite të veçantë, po duhet tërë kohën me i kushtuar rëndësi. Domethënë, ne e kemi edhe problemin e ikjes prej Kosovës, që nuk është marrë askush me emigrimin, nuk është marrë askush me problemet financiare. Ose si shtet, ne kemi pas mundësi me i trajtu, domethënë me u dhënë përparësi çifteve të reja në punësim në institucione shtetërore ose diku tjetër. Tek ne nuk ekziston kjo përparësi hiç. E ke veç përparësinë, nuk ka rëndësi çfarë kualifikimi, a ke lidhje ose të njohshëm edhe ecë i pari. Ky është fenomen shumë i keq që tek ne është shumë prezent. Është edhe në vendet tjera, po tek ne është shumë prezent, që me këtë i japim hapësirë që gjeneratat e reja, që janë shumë të mirë profesionalisht, e lëshojnë Kosovën. Nuk kanë durim me pritë edhe dhjetë vjet kur t’i jepet shansi me pas një punësim, po e lëshojnë vendin e vet edhe gjejnë diku tjetër profesionalisht veten edhe kanë shumë suksese. Kjo mbetet si fenomen që duhet me u trajtua pak më mirë”, u shpreh ai. Sociologu potencon se nataliteti në Kosovë është në rënie dhe se vetëm një vrasje ka ndikim të madh në vend. “Ne edhe ashtu me natalitet jemi shumë pak, mortaliteti është trendi i vet, ndërsa vrasjet edhe një vrasje është shumë që ndodh te ne, se ne duhet me i marrë parasysh domethënë mortalitetin natyror, vrasjet ose natalitetin natyror. Nataliteti natyror te ne është në rënie shumë të shpejtë, domethënë mortaliteti është ashtu trendi i vet i moshës, po edhe vrasjet janë numër në rritje që shteti shumë pak ka bërë që me u trajtua fenomenet shoqërore pak më seriozisht”, theksoi tutje Selishta. Pesë persona të vrarë është bilanci i një jave të rëndë krimi në Kosovë. Java e kaluar që nisi me një vrasje në qendër të Gjakovës, vazhdoi me një tjetër në Klinë e përfundoi me një vrasje edhe më të rëndë në një fshat të Podujevës, ku humbën jetën 3 persona, përfshirë autoren e cila dyshohet se pas krimit e qëlloi edhe veten. Tre persona vdiqën, përfshirë autoren, në një vrasje të rëndë në Majac të Podujevës. Një 31-vjeçare me inicialet A.G. dyshohet se pasi vrau I.B (burrë, 45 vjeç) – i cili vdiq në vendin e ngjarjes – e plagosi edhe gruan e axhës së saj, M.G (73-vjeçare), e cila gjithashtu vdiq më pas në QKUK, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Nuk mundi t’i përballojë plagëve as vetë autorja, e cila pasi qëlloi në drejtim të dy viktimave, dyshohet se e qëlloi edhe veten. Ajo vdiq gjithashtu në Qendrën Emergjente në QKUK./EO The post Pesë vrasje brenda një jave në Kosovë, ekspertët alarmojnë për armët ilegale appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.