Pas 4 prillit, kush e drejton Kosovën? Skenarët nëse nuk zgjidhet Presidenti
April 2, 2026
Gazeta Express
Me afrimin e datës së përmbylljes së mandatit të Presidentes Vjosa Osmani, në diskursin publik është intensifikuar debati rreth procedurave që duhet të ndiqen në rast se nuk arrihet zgjedhja e një presidenti të ri brenda afateve të parapara. Njohës të Kushtetutës kanë theksuar se sistemi juridik i vendit parashikon mekanizma të qartë për tejkalimin e një situate të tillë, duke garantuar vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.
Në qendër të këtyre zhvillimeve mbetet roli i Kuvendit të Kosovës, i cili, përmes kryetares së tij, merr përkohësisht kompetencat e kreut të shtetit, si dhe detyrimin për të avancuar procesin e zgjedhjes së Presidentit. Në të njëjtën kohë, ekspertët ngrenë edhe mundësinë e zhvillimeve të tjera politike, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse institucionet nuk arrijnë të përmbyllin procesin brenda afatit kushtetues prej gjashtë muajsh. Kjo situatë po shihet si një test i rëndësishëm për funksionimin demokratik dhe për pjekurinë institucionale të vendit. Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline, ka sqaruar procedurat që parashihen me Kushtetutë në rast të mungesës së një Presidenti të zgjedhur. Sipas tij, kjo situatë është e rregulluar qartë dhe parashikon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të kreut të shtetit nga kryetari i Kuvendit. “Kjo është e rregulluar me Kushtetutë. Quhet mandat i përkohshëm i Presidentit dhe këtë mandat e merr kryetari i Kuvendit. Afati kushtetues është gjashtë muaj, që nënkupton se brenda kësaj periudhe duhet të krijohen institucionet”, ka deklaruar Kryeziu, për FrontOnline. Ai thekson se nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, vendi shkon në zgjedhje të reja. “Nëse nuk ka zgjedhje të Presidentit, shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të ndodhë brenda gjashtë muajve – të mbahen zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet Presidenti”, ka shtuar ai. Ish-kryetari i KQZ-së dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka sqaruar ecurinë institucionale që pritet të ndodhë pas përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani. Sipas tij, më 4 prill përfundon mandati i Osmanit dhe nga ajo datë ajo nuk do të jetë më Presidente e vendit. Baraliu thekson se, në mungesë të zgjedhjes së një presidenti të ri, vendi hyn automatikisht në fazën e procedurës për zgjedhjen e kreut të shtetit. “Me datën 4 prill mbaron mandati i saj dhe Osmani më nuk është Presidente. Meqë nuk e kemi të zgjedhur Presidentin/en tjetër dhe duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jemi në fazën e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë situatë, ushtrimin e detyrës së Presidentit, me automatizëm e merr kryetarja e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Baraliu për FrontOnline. Ai shton se kryeparlamentarja, në këtë rast, bëhet ushtruese e detyrës së Presidentit për një periudhë të kufizuar kohore. “Ajo ka maksimalisht deri në gjashtë muaj për të ushtruar këtë detyrë, ndërkohë që duhet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri”, theksoi ai. Sipas Baraliut, brenda këtij afati kushtetues, institucionet e vendit janë të obliguara që të përmbyllin procesin dhe të zgjedhin Presidentin e ri të Kosovës. ‘’Brenda kësaj kohe ne duhet ta zgjedhim Presidentin e vendit’’, tha ai./Front Online The post Pas 4 prillit, kush e drejton Kosovën? Skenarët nëse nuk zgjidhet Presidenti appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.