Policia e Kosovës, më 26.03.2026, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme ka realizuar një plan taktik, me ç’rast në vijën kufitare me Serbinë, përkatësisht në rajonin e fshatit Hajkobillë, Prishtinë, janë arrestuar katër të dyshuar për “kontrabandë me mallra” , “kalim i paautorizuar i vijës kufitare”, “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armëve të zjarrit dhe municionit”. Ekipet patrulluese nga stacioni policor për Mbikëqyrje të Kufirit nga DRPK – Lindja, pas një vëzhgimi disa orësh, rreth orën 18:00 kanë vërejtur lëvizjen e tre traktorëve nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Ata janë ndaluar nga zyrtarët policorë, gjersa në afërsi të vijës kufitare është hasur një sasi e konsiderueshme e druve (trupakave) të kontrabanduara nga territori i Serbisë. Me autorizim të prokurorit të shtetit, lidhur me rastin, është kryer bastisja e një shtëpie në afërsi të vijës kufitare, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga kontrabandistët, ku janë gjetur armë ilegale. Lidhur me rastin janë sekuestruar provat materiale si në vijim:- 3 traktorë me tërheqje;- 3 pushkë gjuetie- 1 pushkë ajrore;- 83 fishekë të kalibrave të ndryshëm.Me autorizim të prokurorit kompetent katër personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti për procedura të mëtejme do të trajtohet nga njësitë kompetente të Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës. The post Operacioni policor në Hajkobillë, arrestohen 4 të dyshuar për 3 vepra penale appeared first on Gazeta Express.
March 27, 2026