GLPS kërkon konsensus për presidentin: Kosova ka hyrë në vitin e dytë të një krize të thellë, zgjedhjet do të kishin pasoja të mëdha
April 4, 2026
Gazeta Express
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka kërkuar nga partitë politike që të arrijnë konsensus për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar afatin shtesë prej 34 ditësh nga Gjykata Kushtetuese si një mundësi për dalje nga kriza politike. Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se vendi tashmë ka hyrë në vitin e dytë të një krize të thellë politike, e cila po dëmton proceset reformuese dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Po, Gjykata Kushtetuese ka jap edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit, kjo duhet të shihet nga të gjitha partitë politike si një mundësi për të dalë nga kriza në të cilën jemi zhytur, për shkak se Kosova realisht po hyn në vit, ka hyrë në vitin e dytë të një krize të thellë politike e cila natyrisht dëmton proceset reformuese në Kosovë, por edhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kështu që thirrja jonë është që partitë politike të ulen dhe të gjejnë një konsensus të përbashkët në mënyrë që në çfarëdo forme të evitohen zgjedhjet të cilat do të kishin pasoja të mëdha”, tha ajo. Ajo theksoi se zgjedhjet e reja nuk garantojnë zgjidhje dhe mund të thellojnë më tej krizën politike. “Për më tepër, një palë zgjedhje të reja nuk do të thotë që do të kishim një rezultat shumë të ndryshëm për të arritur tek një zgjidhje. Prandaj konsensusi është çelësi në këtë moment në mënyrë që të shmanget çfarëdo krize tjetër që do të mund të thellohej”, tha ajo. Arifi paralajmëroi se një proces i ri zgjedhor do të ndikonte negativisht edhe në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe reformave të rëndësishme. “Po, disa nga marrëveshjet ndërkombëtare për të cilat ne kemi kërkuar që të votohen dhe të bëhen zgjidhje në mënyrë që të mos vonohemi, nëse do të shkonim edhe në një cikël të ri zgjedhor pavarësisht votimit të tyre le të themi të planit të rritjes, ne prap do të, do të ndikoheshim në implementimin e reformave dhe atyre zotimeve që kemi ndërmarrë në kuadër të planit të rritjes. Përtej pjesëve të tjera të rëndësishme siç janë sundimi i ligjit, administrata publike, pra një palë zgjedhje të reja do të nënkuptonte një bllokim të institucioneve të Kosovës dhe një qeveri në detyrë përsëri e cila nuk do të mund të ushtronte kompetencat e plota”, tha ajo. Sipas saj, kërkesa kryesore e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht e Bashkimit Evropian, mbetet stabiliteti institucional në Kosovë. “Ne e kemi parë edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe si vjet që thirrja kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos e Bashkimit Evropian ka qenë që Kosova të ketë institucione stabile. Prandaj disa nga proceset shumë të rëndësishme të cilat Kosova ka marrë përsipër sikurse plani i rritjes do të ndikoheshin nga një, le të themi jostabilitet i ri politik. Prandaj natyrisht krizat politike nuk do të kenë, nuk do të pasqyronin një Kosovë të mirë në arenën ndërkombëtare”, tha ajo. Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik. Nga Presidenca e Kosovës e mirëpritën vendimin dhe thanë se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. The post GLPS kërkon konsensus për presidentin: Kosova ka hyrë në vitin e dytë të një krize të thellë, zgjedhjet do të kishin pasoja të mëdha appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.