Gallapeni: Turqia kundërshtar i vështirë, por ne jemi të bashkuar si grup, kjo ka rëndësi
March 28, 2026
Gazeta Express
Dion Gallapeni pati një paraqitje të madhe në Bratisllavë, në fitoren e madhe të kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë. Kombëtarja dardane mori një fitore prej 4-3 në “Tehelne pole” dhe siguroi kualifikimin në finale të “play-offit” të Botërorit 2026, e cila do të luhet të martën e 31 marsit. Gallapeni foli për ndeshjen ndaj Sllovakisë, duke i falënderuar edhe tifozët e pranishëm në stadium atë natë.
“Një ndeshje historike për ne, pavarësisht që e kemi ditur se do të jetë vështirë, mirëpo me ndihmën e tifozëve dardanë, gjithçka ishte e mundur dhe treguam një karakter shumë të fortë dhe dolëm fitimtarë në atë ndeshje”, tha ai fillimisht për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Tutje, ai foli edhe për kombëtaren e Turqisë, e cila do të jetë kundërshtarja e Kosoës në përballjen e 31 marsit. “Normalisht që është një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh kualitetin që ka Turqia, mirëpo këtë e kemi vërtetuar edhe në ndeshje më parë, që pavarësisht cilësisë së skuadrës së tyre, ne jemi shumë të bashkuar si grup, luftojmë për njëri-tjetrin, dhe kjo ka shumë rëndësi”, tha Gallapeni tutje. Ai po ashtu shpreson dhe beson në përkrahjen e madhe nga “Dardanët” për këtë përballje të zjarrtë. “Si këtë ndeshje, edhe në ndeshjet tjera, ata [‘Dardanët’] kanë qenë forca jonë më e madhe dhe normalisht që i pres ata në numër të madh, dhe ta bëjnë atmosferën siç dijnë ata, dhe të dalim fitues nga ajo ndeshje”, përfundoi ai. Ndeshja Kosovë – Turqi do të zhvillohet të martën, më 31 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fituesin që do të luajë në Kupën e Botës këtë verë./GazetaExpress/ The post Gallapeni: Turqia kundërshtar i vështirë, por ne jemi të bashkuar si grup, kjo ka rëndësi appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.