Andoni: Shqetësuese si Kosova po i normalizon krizat – nëse s’zgjidhet Presidenti, është shtet i dështuar politikisht
April 9, 2026
Gazeta Express
Publicisti Ben Andoni është i shqetësuar se krizat mund t'i bëhen normale Kosovës, dhe, siç thotë ai, normalitet do ta quajë vetëm krizën. Ai beson dhe shpreson se Kosova do të mund ta zgjedhë Presidentin, kur kanë mbetur më pak se tri javë afat. Nëse nuk zgjidhet dhe kalohet në zgjedhje të tjera, atëherë mund të thuhet se: Kosova është një shtet i dështuar politikisht, që mbahet nga konjukturat ndërkombëtare dhe shpirti i madh i njerëzve të thjeshtë, të cilët hipotekuan gjakun, djersën dhe ëndrrat për të, tha Andoni në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.
Roli i Presidentit, si përfaqësuesi kryesor i sublimitetit të shtetit, nuk është se respektohet shumë në Kosovë, sipas Andonit. Kjo gjë, ai tha se e bën të mendojë se politikanët në Kosovë nuk janë të vetëdijshëm ende për Kosovën e Pavarur. Intervista: Gazeta Express: Dy javë prej 34 diteve të afatit që dha Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit tashmë kaluan pa rezultat, por kanë mbetur edhe më pak se tri javë. Pse ende Kosova s’po mund ta zgjedhë Presidentin? Andoni: Arsyeja është se: Kosova nuk e ka deri më tani përvojën e mirë lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentëve. Ky nuk është perceptim, por është fakt. Për fat të keq, roli i Presidentit, si përfaqësuesi kryesor i sublimitetit të shtetit, nuk është se respektohet shumë në Kosovë, që më bën të mendoj se politikanët në Kosovë nuk janë të vetëdijshëm ende për Kosovën e Pavarur. Me pak fjalë, e dinë dhe e duan si retorikë, por në praktikë sublimiteti i gjithë procesit është shumë i dyshimtë. Marr shkas nga fakti se qysh nga shpallja e pavarësisë, Kushtetuesja ka rrëzuar dy herë me radhë presidentët në Kosovë, kurse rasti i ambasadorit amerikan z. Dell me ofrimin e kandidaturës së Jahjagës, duket se ka qenë veç diktatit mbi krizën e procesit, dhe një përpjekje e të huajve për të parë zgjedhjen e Presidentit jashtë politikës. Më vjen keq, se pritshmëritë e njerëzve në Kosvë janë rrëzuar nga performanca e presidentëve të fundit dhe mbi të gjitha pamundësia e tyre, qoftë politike, kushtetuese, apo konjukturale për t’u ngritur mbi palët në politikë. E fundit, znj. Osmani, si presidentja e fundit, në shumë momente dukej si shtojcë e pushtetit ekzekutiv të z. Kurti. Pse nuk mund ta zgjedhë Presidentin? Politika e Kosovës është aq e ndarë, sidomos mes shqiptarëve, saqë ata e kanë të pamundur t’i besojnë një autoriteti moral. Kjo kohë ka zbehur vlerat, por në Kosovë i ka bërë intelektualët gjithnjë e pa tagër moral, kurse politikanët e saj me fare pak skrupuj. Ndaj Kosova me këtë sistem, ku zgjidhet nga politika, do ta ketë të vështirë të gjejë një personazh me kredite të larta dhe sidomos nga bota intelektuale, për të cilin/cilën do të doja shumë. Gazeta Express: Sa të sinqerta i shihni përpjekjet e reja pas aktgjykimit të Kushtetueses për ta zgjidhur këtë çështje? Andoni: Vështirë të përdoret më fjala sinqeritet në Kosovë. Po të kishte besim shqiptari i dy anëve të kufirit, në sinqeritetin, Besën dhe Fenë, ne shqiptarët e dy anëve nuk do ishim kaq të varfër dhe kaq hajna të pasurive tona kombëtare. Është e pamundur kur dihet mirë sesi duhet të jetë identikiti i Presidentit të sotëm dhe palët nuk e zgjedhin. Me çfarë kuptohet, duket që z. Kurti do të ketë “mbi vete” një njeri që të mos e bezdisë, ndërsa opozita kinse në emër të principeve, por lexo në interes të tyre, do donin një individ që t’ia bënte jetën e vështirë qeverisë. Kosova, për shkak të sistemit të saj do të vazhdojë të pjellë kriza, ndaj i duhet ta ndryshojë Kushtetutën dhe të bëjë zgjedhjen e Presidentit nga populli. Identikiteti i tij është i gatshëm: Të njohë mirë gjeopolitikën dhe arsyen sesi Kosova arriti deri në pavarësi, të njohë të gjithë procesin e dialogut dhe konjukturave për Kosovën, me pak fjalë: të jetë një personazh mes të drejtës ndërkombëtare, diplomacisë dhe ligjit. Po kush vallë do ta donte në Kosovë një personazh të tillë?! Gazeta Express: Nëse Kosova dështon ta zgjedhë Presidentin e ri dhe vendi shkon sërish në zgjedhje, a shihni krizë më të thellë dhe më serioze institucionale apo një bllokadë të radhës politike e cila do të mund te zgjidhej më lehtë pas zgjedhjeve të reja? Andoni: Shqetësohem se Kosova krizat në të ardhmen mund t’i ketë normale, që do të thotë: Kosova normalitet do të quajë vetëm krizën. Është shqetësuese se pas disa krizave, në momentet më të vështira, politikanët nuk mendojnë me një konsensus politik të gjerë sesi mund të kalojë kjo situatë, por e shfrytëzojnë krizën. Opozita, nga ana tjetër, duhet të jetë e ndërgjegjshme se është pjesë e këtij problemi dhe mos të sillet sikur nuk e di se po u ikin votuesit, ndaj humbjen e këtyre të fundit s’duhet t'i projektojë si bllokime për zgjedhjen e Presidentit. Por nga mënyra sesi po ecën politika në Kosovë: Çdo palë në të ardhmen do shfrytëzojë këtë sistem që të krijojë dhe mbajë kriza për mbijetesën e vet. Gazeta Express: Sa reale është për ju pritja që brenda këtyre ditëve të afatit të mbetur të arrihet një konsensus i gjerë (80+ vota) për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të sërishme? Andoni: Logjikisht e besoj se do të ketë zgjedhje në momentet e fundit, sepse Kosova është në zgrip të shqetësimeve shumë të mëdha ndërkombëtare, me një dialog që ka mbetur dhe, një Serbi që po përpiqet shumë “ta zbusë” pozicionin e Kosovës dhe madje në të ardhmen, ta suprimojë me të gjitha mënyrat. Besoj se ka ende koka të ftohta, por edhe pragmatike, sidomos te LDK dhe PDK që do ndihmojnë për një kandidaturë, sado që këtë po ia lënë kryeministrit Kurti. Tek e fundit, opozita e di se në kohë të tilla, maxhoranca veçse fiton, kurse ata mund të bjerren. Me këtë logjikë, besoj dhe shpresoj se Kosova do mund ta gjejë zgjedhjen e Presidentit. Nëse nuk zgjidhet dhe kalohet në zgjedhje të tjera, atëherë mund të thuhet se: Kosova është një shtet i dështuar politikisht, që mbahet nga konjukturat ndërkombëtare dhe shpirti i madh i njerëzve të thjeshtë, të cilët hipotekuan gjakun, djersën dhe ëndrrat për të. The post Andoni: Shqetësuese si Kosova po i normalizon krizat – nëse s’zgjidhet Presidenti, është shtet i dështuar politikisht appeared first on Gazeta Express.
Gazeta Express
Coverage and analysis from Kosovo. All insights are generated by our AI narrative analysis engine.